Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i ka përcjellë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netnayahu, pritshmërinë e fortë të saj për arritjen e një marrëveshjeje për sigurimin e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve në Gaza. Në një deklaratë të bërë nga rezidenca kryeministrore Chigi, në Romë, bëhet e ditur se kryeministrja Meloni në kuadrin e bisedimeve mbi situatën në Lindjen e Mesme, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e saj izraelit, Netnayahu.
“Kryeministrja Meloni në raundin e mëpasshëm të negociatave që do të mbahet më 15 gusht, ka përsëritur pritshmërinë e fortë të saj se në kuadrin e rezolutës 2735 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara mund të arrihet një marrëveshje për një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza dhe për lirimin e pengjeve. Kryeministrja Meloni; theksoi edhe mbështetjen e fuqishme të saj për ndërmjetësimin e kryer nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari”, thuhet në deklaratë.
Ndër të tjera thuhet se Meloni e cila pranon të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, theksoi rëndësinë e uljes së tensioneve në nivel rajonal, veçanërisht në kufirin Izrael-Liban, ku ndodhet Forca e Përkohshme e Paqes e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), në të cilën Italia luan një rol të rëndësishëm.
Lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, Meloni ka zhvilluar biseda telefonike me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, më 6 gusht dhe më 8 gusht me presidentin iranian, Massoud Pezeshkian. Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në postimin e tij në llogarinë e tij X bëri thirrje për një armëpushim në Gaza dhe për të shmangur rritjen e tensionit në rajon.
“Italia inkurajon të gjithë aktorët që bashkë me lirimin e pengjeve izraelite të punojnë për sigurimin e një armëpushimi në Gaza. Irani duhet të heqë dorë nga veprimet për përshkallëzimin e tensioneve në rajon. Ne jemi të vendosur të sigurojmë paqen”, deklaroi Tajani.