India dhe Rusia po eksplorojnë idenë e një kursi standard të këmbimit rupi-rubla për të filluar tregtinë e drejtpërdrejtë duke përdorur të dy monedhat. Kjo shihet si një strategji për të kapërcyer barrierat tregtare të dollarit të krijuara nga sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Sipas Economic Times, kjo çështje do të diskutohet këtë javë gjatë vizitës së zv.guvernatorit të Bankës së Rezervave të Indisë (RBI) në Moskë, ku ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë të disa prej bankave shtetërore ruse.
India dhe Rusia kanë rritur ndjeshëm tregtinë e ndërsjellë në vitet e fundit, veçanërisht pasi vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë për operacionin ushtarak në Ukrainën. Inida është blerësi i dytë më i madh i naftës bruto ruse, pas Kinës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, importet e mallrave ruse në Indi janë rritur me rreth 8,300% që nga viti 2021, të nxitura nga “prokurimi strategjik i naftës së papërpunuar“. Ndërkohë, eksportet indiane drejt Rusisë janë rritur me 59%.
Aktualisht, bankat që trajtojnë pagesat e eksportit dhe importit duhet të përdorin kursin e këmbimit të dollarit për të konvertuar monedhat kombëtare. Megjithatë, duke qenë se disa prej bankave kryesore u është ndaluar aksesi në sistemin SWIFT, sfera e transaksioneve në monedhë të bazuar në dollarë është reduktuar ndjeshëm.
Pagesat për blerjet e naftës dhe importeve të tjera të mëdha duhet të kalojnë përmes bankave të mëdha ruse. Kjo e bën të domosdoshme një monedhë alternative.
Kursi i referencës rupi-rubla mund të vendoset nga RBI dhe Banka e Rusisë dhe “të rishikohet për të qenë në sinkron me realitetet e tregut“, citohet një bankier i lartë nga ET.
Sipas Bloomberg, Rusia ka akumuluar miliarda dollarë në rupi në bankat indiane.
Pas sanksioneve të lidhura me Ukrainën, Rusia dhe partnerët e saj tregtarë në Azi kanë filluar të përdorin monedha kombëtare për transaksione, të tilla si juani kinez dhe dirhami i Emirateve të Bashkuara Arabe. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha në maj se mbi 90% e marrëveshjeve tregtare dypalëshe midis Moskës dhe partnerit të saj më të madh, Pekinit, ishin bërë në monedha kombëtare.