Teuta ka qenë aktive në merkato deri tani, si në dalje ashtu edhe me afrimet që janë zyrtarizuar. Duke i krahasuar, bie në sy që numri i afrimeve është më i madh se ai i largimeve dhe kjo bën që të gjitha pozicionet të jenë të kompletuara. Po të shohësh përbërjen e skuadrës, duke filluar nga porta, Tafas ishte një përforcim, por edhe Vata jep garanci, diçka të tillë e tregoi sezonin e kaluar. Pa harruar portierin e ri Dema që ka shumë potencial. Nëse kalojmë te reparti i mbrojtjes, qendra është e mbuluar nga disa futbollistë si: Gjini dhe Jazxhi, të cilët pritet të jenë edhe titullarët e këtij sezoni. Të dy janë pika të forta te durrsakët në lojën në ajër, ku në disa ndeshje të sezonit të shkuar, kanë arritur që të shënojnë. Po ashtu, në këtë pozicion luajnë edhe Reçi me Markun.

Për të përmendur edhe Kotobellin, i cili është spostuar nga krahu në qendër, duke qenë se Martini ka preferuar një modul me 3 qendra mbrapa. Në mbrojtje janë edhe Peposhi, Selita e Kruja, por edhe të rinjtë Hasanbelli dhe Balla. Nëse do të ketë dhimbje koke për Edi Martinin, ato do të vijnë nga mesfusha, pasi te Teuta janë shumë alternativa që luajnë në këtë repart. Mund të themi se trajneri shkodran ka një mesfushë të mbipopulluar ku mund të përmendim nga sezoni i kaluar lojtarë si: Karabeci, Beqja, Lloci, Arifi, Daja, Çyrbja apo Ergys Peposhi i cili luan në krah. Rikthimi i Emiljano Vilës, ndërkohë të rinjtë Boçi, Syla, Muka, Preloshi dhe Halilaj. Për tu hedhur te sulmi, ku Torraj, Treni, Nasr, Preknicaj, Demiraçani dhe të rinjtë Tepshi dhe Kalaj, do të formojnë ofensivën durrsake.

Teuta ka zbritur në fushë për të vijuar javën anti-Bylis, sipas programit të trajnerit Edi Martini. “Djemtë e detit” e kanë zhvilluar seancën e djeshme në orën 19:30 dhe duhet thënë se ritmi ka qenë i lartë. Deri në ndeshjen me Bylisin do të vazhdohet me një seancë në ditë. Brenda kësaj kohe pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale për një start të mbarë të Superiores. Pas ushtrimeve aerobike, lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre, ku nuk munguan golat dhe veprimet spektakolare. Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive gjatë sezonit të ardhshëm. Te Teuta ka pasur shumë lëvizje, por lojtarët janë ambientuar mirë dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin në lojë. Në stërvitjen e djeshme, Martini ka qenë i qetë, ku asnjë lojtar nuk ka shqetësime.