Rumania është tronditur nga vetëvrasja e një 18-vjecareje, e cila i dha fund jetës pas sulmeve dhe poshtërimeve të të dashurit të saj, 17 vjet më të madh në moshë.

Ioana Pavăl u vetëvrar në garsonierën e saj, ku jetonte e vetme, pasi telefonoi autoritetet mbi tentativën e saj për vetëvrasje dhe postoi një mesazh lamtumire në “Instagram”.

Policia vendase ka nisur menjëherë një hetim mbi efektivin, që duket se abuzonte prej kohësh me adoleshenten.

Shumë shpejt pas tragjedisë, në rrjetet sociale dolën detaje mbi lidhjen e Ioanës me kreun e Policisë së Brostenit, i cili duket se e kishte sulmuar vajzën pafundësisht.

Miqtë e vajzës rrëfyen se si burri i identifikuar si Dragos, jo vetëm e kishte goditur atë, por edhe e kishte poshtëruar duke i treguar kolegëve fotot e saj e zhveshur.

“Përshëndetje! Do të doja të ndaja me ju historinë dhe tragjedinë e Ioanës.

Ajo ishte një studente shumë e mirë, fituese e çmimeve me një zemër të bardhë dhe një buzëqeshje të bukur.

Që në moshën 16-vjeçare kishte nisur të kishte lidhje me komisarin nga Broșteni, i cili në atë kohë ishte afërsisht 33 vjeç.

Ky njeri e keqtrajtonte, e godiste shpesh, e poshtëronte para kolegëve duke i treguar fotot e zhveshura, luante me të dhe e manipulonte si të donte.

Përfitoi nga fakti që vajza ishte vetëm, nuk kishte të afërm të rrethit të ngushtë apo prindër. Ata që e kishin në kujdestari e nxorën jashtë në moshën 17-vjeçare për shkak të komisarit.

Duam ta tregojmë historinë e saj, që vdekja e Joanës të mos jetë e parëndësishme dhe efektivi të paguajë për veprimet e tij”, thanë miq të Ioanës për portalin Glasul Suceveit.

Mesazhi i fundit i 18-vjecares ishte zemërthyes.

“Nuk jam e inatosur me ty. Jam me veten, sepse nuk i përkas asnjë vendi. Sado që u mundova, nuk isha kurrë mjaftueshëm.

Sado që kam studiuar, sado e mirë që kam qenë, sado që jam përpjekur t’u tregoj njerëzve se vlej, nuk funksionoi…jam vetëm.

Kuptova se asnjë mashkull nuk meriton të shohë dashurinë time, vetëm unë.

Mashkulli që do të më dojë vërtet do të pushtohet nga drita ime, sepse aty shtylla është e qëndrueshme”, ishte mesazhi i fundit që Ioana i nisi të dashurit të saj