Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministri indian Narendra Modi do të diskutojnë marrëdhëniet e vendeve të tyre dhe bashkëpunimin shumëpalësh gjatë vizitës së kryeministrit indian në Kiev të premten, më 23 gusht, me ftesë të Zelenskyt.
“Kjo është vizita e parë e kreut të qeverisë indiane në vendin tonë në historinë e marrëdhënieve tona dypalëshe”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit ukrainas të postuar në aplikacionin Telegram.
Kjo është vizita e parë e një udhëheqësi indian në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë në fillim të vitit 2022, dhe vizita e parë e një kryeministri indian në Kiev në 30 vjet.
Ministria e Jashtme e Indisë thekson se Nju Delhi është në favor të dialogut dhe diplomacisë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.
Megjithatë, India mban marrëdhënie të ngushta diplomatike dhe tregtare me Rusinë, të cilat nuk i ndryshoi pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.