Teuta e nisi me një rezultat pozitiv Superioren duke mundur 2-1 në shtëpi Bylisin e sapongjitur. Një nga mesfushorët që kontribuoi në këtë takim për durrsakët, ishte edhe Ledio Beqja i cili thotë se Teuta do të kërkojë krijimin e një vazhdimësie rezultatesh si edhe të tregojë se ajo fitore me Bylisin nuk ishte aspak rastësi.

Sa vlerë merr fitorja me Bylisin, në premierën e kampionatit?

Të dielën bëmë detyrën. Ishte një fitore shumë e rëndësishme, sidomos në nisje. Jemi stërvitur mirë dhe Bylisin e kishim vlerësuar maksimalisht. Padyshim që ka vend për përmirësime, por nga java në javë do të rritemi akoma dhe do jemi me këmbë në tokë.

Keni parë diçka që nuk ka shkuar siç duhet në këtë javë dhe duhet të korrigjohet?

Gabime ka sa të duash, pasi ekipi është në ritëm e sipër. Rëndësi ka që ne duhet të marrim pikët më shumë se çdo gjë tjetër, por dhe ambienti në Durrës të jep mundësi që të punosh në qetësi dhe këtë moment pozitiv do ta shfrytëzojmë.

Java e dytë rezervon Af Elbasanin, si e shihni këtë duel?

Duhet të jemi të përqendruar dhe të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje, sigurisht fitorja do të ishte e rëndësishme. Gjithashtu duhet të tregojmë që suksesi kundër Bylisit nuk ishte rastësi. Mund të them se skuadra po punon fort për të marrë tri pikë. Kështu që e dimë se çfarë na pret dhe duke u stërvitur sa më shumë, do të kërkojmë që të krijojmë një vazhdimësi rezultatesh pozitive.

Sa e njihni kundërshtarin, pasi siç dihet sapo është ngjitur në elitë?

Ne e njohim mjaft mirë njëri-tjetrin. Kemi parë ndeshjet e tyre, por ne çdo herë tentojmë të bëjmë lojën tonë, e shohim pak kundërshtarin. Do të vazhdojmë të bëjmë lojën tonë.

Ju kënaq edhe një pikë të hënën?

E thashë edhe më lart, ne do të luajmë për tri pikët, pastaj 90 minutat i kanë të tria rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe si një pikë apo tri pikë kanë rëndësinë e vetë.

Me ekipin që keni, deri ku mund të shkoj kjo Teutë?

Teuta i ka të gjitha mundësitë të jetë në pjesën e sipërme të klasifikimit, por si unë dhe të gjithë shokët e skuadrës shohim ndeshjen e radhës në këto momente.