Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka lënë në masën e sigurisë arrest me burg Arben Lamçen. Lamçja akuzohet për sigurimin e kushteve për të vrarë të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumanin, për llogari të bandës Çopja në Elbasan. 

Ai kishte takuar një person që do të bashkëpunonte për vrasjen e Dumanit, duke i kërkuar që të mbante nën vëzhgim dhe të informonte për të gjitha lëvizjet e Dumanit. Lam֛çja informon porositësin e vrasjes Franc Çopjan se personi e ka marrë përsipër vrasjen dhe ka filluar ndjekjen së bashku me njerëzit e tij. Për kapjen e Dumanit rezulton të jenë ofruar 250 mijë euro dhe për eliminimin fizik të tij 500 mijë euro.

Gjithashtu rezulton se, Lamçja është personi që administronte edhe një pjesë të shumave monetare që vëllezërit Çopja siguronin nga aktiviteti kriminal dhe më pas këto para i investonte në pasuri të pa luajtshme për të fshehur burimin e tyre. Lamçe, i njohur si pjesëtar i grupit kriminal Çopja në Elbasan, është vënë në pranga në Kosovë pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje, trafikim droge dhe tentativë vrasje.