Prokuroria e Durrësit ka zbarkuar ditën e sotme në kompaninë Kurum në Elbasan për të sekuestruar dokumentacionin e eksportit të 102 kontejnerëve mbetjeve nga kompania “Sokolaj shpk” drejt Tajlandës që dyshohen të jenë toksike. Kompania turke Kurum International sha dyshohet se është origjina e qindra ton mbetjeve të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit.

Mbetjet e rrezikshme dyshohet se janë pluhur nga hiri i oxhaqekëve të uzinave të çelikut e petezimit, të ngjashme me ato që Kurum përdor prej gati një dekade. Pak ditë më parë kompania turke mbylli dy sektorët prodhues, çelikun dhe petëzimin duke lënë në rrugë 500 punonjës.

Përballë kësaj situate edhe sindikata hesht, ndërkohë Inspektoriati i Punës është në ndjekje të situatës dhe bën me dije se aktualisht punonjësit e Kurum janë të paangazhuar me punë, por trajtohen financiarisht, ndërsa subjekti nuk ka bërë asnjë kërkesë në QKB për pezullim apo ndërprerje të aktivitetit.