Pak ditë pushim dhe sërish emocione. Euro 2020 nis fazën më të bukur, atë të ndeshjeve me eliminim direkt teksa ndeshjet e 1/8 nisin sot me dy ndeshje shume të forta.

Në 18:00 në fushë, në “Johann Cruiff Arena” do të zbresin në fushë Uellsi dhe Danimarka, në një duel delikat dhe që pritet të jetë shumë e luftuar.

Gareth Bale me shokë e mbyllën të dytet në Grup dhe tani do të luajnë ndaj Danimarkës e cila është shëruar plotësisht psikologjikisht nga drama Eriksen.

Fantazisti do t’i ndjekë nga shtëpia dhe skuadra do të vijojë të luajë për të teksa nordikët konsiderohen edhe favoritët e këtij takimi.

Në orën 21:00 do të jetë radha e Italisë të zbresê në fushë dhe përballë do të ketë Austrinë. Në “Wembley”, të kaltërit vijnë si favoritët absolutë dhe që shihen si një ndër 3-4 ekipet që mund të shkojnë deri ne fund të Euro 2020.

Italia ka mijëra tifozë edhe në Shqipëri dhe sfida do të ndiqet me shumë interes në mbrëmje sidomos pas ecurisë perfekte që patën në Grupin A.

Austria nga ana tjetër do të jetë për herë të parë në një fazë me eliminim direkt ne Kampiona Europian dhe do të tentojnë surprizën të udhëhequr nga Alaba.