Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest në shtëpi për kryetarin e bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi.

Byberi bashkë me zv.kryetarin e Bashkisë, Abedin Kërrnaja akuzohen për shpërdorim detyre në dy raste.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Prokuroria e Posaçme thotë se Byberi dhe Kërrnaja kanë shkelur ligjin në për ndërtimin e dy rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 277. 611.520 lekë.

Dy hetimet e nisura nga organet vendore të qarkut Kukës përkatësisht në vitin 2021 dhe 2023 i kanë kaluar për kompetencë SPAK.

“Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore, pasi për kryerjen e punimeve  për hapjen e një rrugë të re, duhej të bëhej aplikimi në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh”, thuhet në aktakuzë.