Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përkujtoi sot në fjalën e tij 26 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.
Berisha tha se si sonte 26 vite më parë, terroristë të partisë së krimit, sipas tij, të Partisë Socialiste, ekzekutuan para selisë së PD-së tribunin legjendar të rinisë shqiptare, heroin, prijësin e lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën më të egër komuniste, themeluesin e PD-së dhe pluralizmit politik, Azem Hajdarin.
Ai shtoi se të rinjtë duhet të të frymëohen nga guximi i tij.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirënjohjen më të pakufishme për qëndresën, guximin, vendosmërinë, misionin tuaj në mbrojtje të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Mirënjohje oratorëve të fjalës së lirë në këtë platforme. Mirënjohje shqiptarëve që protestojnë dhe ngrihen për dinjitetin e tyre. Të dashur miq, si sonte 26 vite më parë, terroristë të partisë së krimit, të Partisë Socialiste, ekzekutuan para selisë së PD-së tribunin legjendar të rinisë shqiptare, heroin, prijësin e lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën më të egër komuniste, themeluesin e PD-së dhe pluralizmit politik, Azem Hajdarin.
Azem, ti je gjallë! Të dashur miq, dhe në mënyrë të veçantë ju të rinj dhe të reja, nderimi më i madh që mund t’i bëni prijësit të pavdekshëm të rinisë shqiptare, tribunit të lirisë, njeriut që bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e këtij vendi, çlirimin nga diktatura komuniste, është të frymëzoheni nga guximi i tij. Të frymëzoheni nga trimëria e tij dhe ju garantoj se fitorja është në duart tona, është e sigurt dhe do jemi fitimtarë. Azem, ti je gjallë!