Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me skemën mashtruese të hakerave të cilët dërgonin mesazhe në “WhatsApp” të ngjashme si të kompanisë “META” në mënyrë që të merrnin të dhënat e qytetarëve dhe më pas të kishin kontroll mbi llogaritë e tyre në “Facebook”.

Mësohet se bëhet fjalë për një grup hakerash të huaj të cilët ende nuk janë identifikuar.  Deri më tani janë zbuluar disa raste nga sektori për hetimin e krimeve kibernetike pranë Policisë së Tiranës.

Hakerat e huaj kanë dërguar mesazhe mashtrimi duke i kërkuar që të klikojnë në disa linqe të dyshimta. Kjo bëhet me qëllim që të vidhen adresa në “Facebook” që janë të lidhura me kartën e bankës për të bërë sponsorizime të bizneseve të tyre.

Nuk dihen se nga çfarë vendi janë hakerat, por numri që ata përdorin rezulton të jetë me prefiks nga Vietnami. Pasi ata arrinin që të merrnin të dhënat e profilit, më pas futeshin në llogarinë bankare duke transferuar shuma parash.