Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka nisur një tur në rajon, duke ndaluar fillimisht në Tiranë. Të premten Erdogan do të vizitojë Beogradin. Sipas Agjencisë franceze të lajmeve, AFP marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme pas vizitës historike të Erdogan në vitin 2017.

Analisti, Vuk Vuksanoviç thotë se mund të ketë një marrëveshje armatimi mes dy vendeve. Ai pret që bisedimet në Beograd të fokusohen në “bashkëpunimin ushtarak, pozicionin e kompanive turke dhe përpjekjet e Beogradit për të bindur Ankaranë që të zvogëlojë mbështetjen për Kosovën”. Edhe pse afrimi është relativisht i kohëve të fundit, lidhjet ekonomike midis dy vendeve janë tashmë të rëndësishme.

“Nuk do të habitesha nëse shohim një marrëveshje ushtarake në fund të kësaj vizite,” tha Vuksanoviç.

Investimet turke në Serbi janë rritur nga 1 milion dollarë në 400 milion dollarë gjatë dekadës së fundit. Eksportet turke në Serbi arritën në 2.13 miliardë dollarë në vitin 2022, nga 1.14 miliardë dollarë në vitin 2020, sipas shifrave zyrtare serbe. Turistët turq janë gjithashtu jashtëzakonisht të rëndësishëm për Serbinë, të dytit vetëm për nga numri i vizitorëve pas atyre nga Bosnja.