Kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë të përbashkët për mediat me presidentin turk Erdogan pas firmosjes së marrëveshjeve mes dy vendeve.

Rama: Dua të përsëris edhe një herë për të disatën herë qyshkur presidenti ka ngjitur shkallët e kësaj godine, falenderimet dhe shprehjen më të sinqertë të mirënjohjes për vizitën sot në Tiranë bashkë me një pjesë të konsiderueshme të ekipit të tij qeveritar: Ejvallah!

Jam vërtet shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të këshillit të nivelit të lartë të bashkëpunimit, ku konfirmuam vendosmërinë për të përforcuar karakterion strategjik të këtij bashkëpunimi, por mundëm edhe të vlerësojmë zbatimin e marrëveshjeve të bëra.

Presidenti i Turqisë e përsërit sa herë takohemi dhe me shumë të drejtë që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk është ashtu siç duhet për potencialin midis dy vendeve. Ambicia jonë është që të arrijmë tavanin e 2 mld eurove për të çelur një fazë të dytë me edhe më shumë zhvillim të ketyre shkëmbimeve.

Ndava me presidentin kënaqësinë që në tërësinë e zhvillimit të turizmit, numri i qytetarëve turq që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është rritur me 85%. Ne jemi besimplotë që vitin e ardhshëm numri i qytetarëve turq që do të vizitojnë Shqipërinë do të jetë edhe më mbresëlënës.

Ramë dakord që duhet të bëhet më shumë për investime të drejtpërdrejta turke në sektorin e turizmit. Turqia ka bërë një transformim marramendëes dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mikpret miliona turistë, por edhe ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer.

Sot ne firmosëm disa marrëveshje, por më e rëndësishmja ishte firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë.