Shqipëria U-19 triumfoi 3-2 ndaj Malit të Zi, në ndeshjen e parë miqësore të luajtur mesditën e sotme në Tuz. 

Kuqezinjtë e drejtuar nga Julian Ahmataj zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, me raste dhe tre gola të shënuar nga Ron Hasani, Dran Vranici dhe Xheto Joi Nuredini.

Trajneri Ahmataj e nisi ndeshjen me këtë formacion: Alain Taho (GK), Kleo Shpuza, Fabjan Përndreca, Denis Prendi, Antonis Dama, Matia Huqi, Ron Hasani, Dean Vranici, Flavio Sulejmani (C), Jordi Jaku, Xheto Joi Nuredini.

Goli i parë për kuqezinjtë do të vinte vetëm në minuten e 31-të falë Ron Hasanit. 

Sulmuesi shqiptar përfitoi nga gabimi i vendasve dhe shënoi golin e parë për kuqezinjtë. Malazezët barazuan pas 11 minutash lojë dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1.

Fraksioni i dytë nis shumë mirë për Shqipërinë e Ahmatajt, që realizon golin e dytë dhe kalon sërish në epërsi falë Vranicit.

Fabjan Përndreca dhuroi bukur një top nga e majta, me Vranicin që gjendet në zonë dhe dyfishon shifrat falë një goli me kokë. 

Kuqezinjtë nuk ndalen këtu, por tentojnë dhe krijojnë raste derisa gjejnë edhe golin e tretë me Xheto Joi Nuredinin në minuten e 60-të. 

Kapiteni Sulejmani asiston për autorin e golit, i cili me mjaft finesë dërgon topin në rrjetë dhe trefishon shifrat. Malazezët ngushtuan rezultatin në 2-3 në minutën e 77-të. 

Pavarësisht golit, fitorja i takon kuqezinjve, me ndeshjen e parë miqesore të luajtur në Tuz që mbyllet me rezultatin 2-3 për Shqipërinë e Julian Ahmatajt. 

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi i Kombëtares U-19, Adi Kurti nuk do të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në këto dy ndeshje për shkak të një dëmtimi që pësoi në stërvitjen e së enjtes. 

Pas ekzaminimeve, stafi mjekësor vendosi ta lërë pushim lojtarin, për mos ta rrezikuar. 

Shqipëria do të luajë edhe një ndeshje tjetër miqësore kundër Malit të Zi të dielën në “Reshit Rusi” në Shkodër. Takimi është programuar të nisë në ora 12:00. 

Ky do të jetë testi i fundit për kuqezinjtë, të cilët i japin fund kështu ndeshjeve miqësore të zhvilluara përgjatë disa muajve, në kuadër të përgatitjeve për raundin e parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për moshën U-19. 

Shqipëria është pjesë e grupit 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”.