Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Ballsh, ku dy vëllezër u plagosën me thikë nga një i moshuar.

Mësohet se autori i ngjarjes është 76-vjeçari Agur Beqiraj, i cili ka plagosur thikë dy vëllezërit Elis dhe Juli Pashaj.

Dy vëllezërit Pashaj nga ana tjetër janë arrestuar ,pasi para hetueseve gënjyen, duke deklaruar se ishin plagosur duke u zënë me njëri-tjetrin. Arsyeja e se përse ata nuk treguan që ishin qëlluar me thikë nga i moshuari, ishte për të fshehur një tjetër ngjarje të rëndë.

Mësohet se Juli Pashaj ka hyrë gjatë natës në banesën e të moshuarit, ku ai jetonte me bashkëshorten e tij, nusen e djalit dhe 3 fëmijët e kësaj të fundit. Ndërkohë, djali i tij është emigrant në Greqi.

Pasi ka ndjerë zhurma, Agur Beqiraj ka kontrolluar shtëpinë dhe në këtë moment ka gjetur të riun brenda. Ata kanë nisur të konfliktohen dhe zhurmën e konfliktit e ka dëgjuar dhe vëllai i 26-vjeçarit, i cili ndodhej në banesën një kat më poshtë. Ai është ngjitur për të mbrojtur të vëllain dhe aty, janë plagosur të dy.

Paraprakisht dyshohet se 26-vjeçari Juli Pashaj ka hyrë në banesën e të moshuarit dhe ka ngacmuar nusen e djalit të tij, nisur dhe nga dëshmitë e fqinjëve që kjo ka ndodhur dhe më parë, por policia nuk përjashton dhe një tentativë për vjedhje.