Qeveria e Britanisë së Madhe e udhëhequr nga Boris Johnson po mendon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë nga fëmijët dhe të rinjtë në shkolla.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Arsimit, Gavin Williamson, i cili theksoi se fiksimi tek celularët ka “efekte të dëmshme” në performancën e fëmijëve në shkollë dhe shëndetin mendor.
Megjithatë, një propozim i tillë u kritikua ashpër nga disa sindikata të mësuesve, të cilat e konsideruan një projektligj të tillë si një manovër për të shpërqëndruar vëmendjen nga problemet urgjente të shkollës.
Mediat shkruajnë se qeveria do të përballet me drejtuesit e shkollave përpara se ta miratojë zyrtarisht këtë projektligj, ndërsa duket se është e vendosur për të ecur përpara.
Britania e Madhe ka kufizuar përdorimin e celularëve në shkolla, por kjo ka qenë një masë parandaluese që është vendosur nga drejtoritë e shkollave dhe që ndryshon në varësi të secilit institucion edukues në vend.
Një studim britanik i realizuar vite më parë zbuloi një rënie të performancës së studentëve në mësime me rreth 8 përqind, vetëm si pasojë e përdorimit të celularit në shkollë dhe rreth 14-15 përqind tek fëmijët.
Këto rezultate konfirmohen nga përvoja e vendeve të tilla si Norvegjia ose Spanja, të cilat vendosën prej kohësh kufizime në përdorimin e telefonave celularë në shkolla.





