Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka lëshuar akuza të forta ndaj Izraelit gjatë një takimi të partisë së tij, duke deklaruar se Ankaraja ka ndjekur një politikë të kujdesshme për të mbajtur Turqinë larg përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Duke iu referuar krizës së fundit me Iranin, Erdogan tha se Turqia arriti ta mbante vendin jashtë “rrethit të zjarrit” falë një politike të bazuar në logjikë, maturi dhe drejtësi. “Me politikën tonë nuk lejuam të derdhej asnjë pikë gjaku dhe nuk ramë pre e lojërave të Izraelit që synojnë të krijojnë konflikte të reja në rajon”, u shpreh ai.
Presidenti turk vlerësoi gjithashtu rolin e institucioneve shtetërore dhe të diplomacisë turke, duke theksuar se vendi i tij kontribuoi në menaxhimin e një prej krizave më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore përmes negociatave dhe ndërhyrjeve diplomatike.
Në deklaratat e tij, Erdogan akuzoi Izraelin se nuk është i interesuar për paqen dhe se përpiqet të minojë çdo marrëveshje të arritur në rajon, përfshirë përpjekjet për uljen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
“Ne e dimë se Izraeli nuk toleron as mundësinë më të vogël për paqe. Ekziston një mekanizëm që e ka bërë dhunën dhe okupimin politikë shtetërore dhe që përpiqet të pengojë çdo marrëveshje të arritur me shumë mund”, deklaroi ai. Erdogan shtoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë që synon një zgjidhje të përhershme të krizës me Iranin dhe ruajtjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme. “Si Turqi, nuk do të hezitojmë të bëjmë pjesën tonë për të siguruar paqen dhe do të vazhdojmë të mbështesim çdo përpjekje për një zgjidhje të qëndrueshme të krizës”, përfundoi presidenti turk.





