Policia ka vënë në pranga një 33-vjeçar në Korçë, i cili ishte në kërkim që prej 27 shtatorit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin, dhe është larguar me shpejtësi.

Gjatë kontrollit të kryer me vendim të Gjykatës së Korçës, në banesën e 33-vjeçarit, Matheos Dërsniku, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, me celular.

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë/Vijojnë kontrollet në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar ”Sundimi i ligjit”.

Kapet dhe vihet në pranga një 33-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike, organizim të lojërave të fatit dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, ka organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, u kap dhe u ndalua shtetasi M. D., 33 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 27.09.2024, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin, dhe është larguar me shpejtësi. Gjatë kontrollit të kryer me vendim të Gjykatës së Korçës, në banesën e 33-vjeçarit, shërbimet e  Policisë kanë gjetur dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike. Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, me celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.