Teuta kërkon ta nisë aty ku e la. Teuta zbriti në fushën e stërvitjes, duke vijuar përgatitjet “anti-Egnatia”. Skuadra e Teutës ka një ecuri pozitive në dy javët e fundit, teksa tashmë synon tri pikët kundër Egnatias, për të vazhduar aty ku e la me Tiranën. Pauza e kampionatit ka ardhur në momentin e duhur në kampin durrsak, pasi i dha mundësi të rikuperohen disa lojtarë e tanimë janë optimistë dhe premtojnë se do të luftojnë për tri pikë në përballjen e radhës kundër Egnatias në Rrogozhinë. Ndeshja me Egnatian shihet e vështirë në letër, por te Teuta janë të bindur se do t’ia dalin mbanë të marrin tri pikët. Stafi teknik i ka bërë një analizë të thellë ndeshjes me Tiranën, ku janë nxjerrë gabimet e vërejtura.
Ata kanë kërkuar që këto të mos përsëriten më jo vetëm në ndeshjen e radhës, por edhe në të tjerat në vazhdim, duke kërkuar ecurinë pozitive. Teuta po vijon me intensitet përgatitjet antiEgnatia, ku përpos rezultateve të mira në javët e fundit, ka mbizotëruar një atmosferë optimiste. Ndonëse ka edhe 4 ditë kohë nga përballja e radhës, trajneri Martini pritet ta ketë skuadrën e plotë. Fatmirësisht infermieria e durrsakëve është thuajse e boshatisur. Numri një i pankinës së “djemve të detit” pritet të mos bëjë surpriza në formacion, duke i besuar të njëjtës skuadër, e cila ka luajtur gjatë këtyre javëve. Në seancën e sotme, e cila është zhvilluar në Durrës, stafi teknik dhe ai mjekësor kanë testuar nga afër gjendjen fizike të lojtarëve. Pritet vetëm Toma të bashkohet nesër me skuadrën, pasi të mbarojë angazhimet me kombëtaren U-21.
Stërvitja e djeshme filloi me nxehje të lehtë, ku stafi teknik vazhdoi punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Skuadra stërvitjen e vazhdoi me ushtrime aerobike e më pas lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre. Disa nga lojtarët në fund zhvilluan disa vrapime e më pas u futën në vaskën me akull për të rigjeneruar forcat dhe për të qenë gati për të premten. Teutën e pret një ndeshje e vështirë. Të gjithë lojtarët janë mjaft të motivuar dhe shpresojnë që ta vijojnë me rezultate të mira dhe ta kalojnë dhe këtë pengesë.