Federata e Futbollit organizoi të martën një mini-turne futbolli me pjesëmarrjen e tre ekipeve të përbëra nga vajza të administratës së FSHF-së, media shqiptare dhe UN Women. Një nismë e veçantë e ndërmarrë nga FSHF në kuadër të muajit sensibilizues kundër kancerit të gjirit.
“Jam shumë falënderuese për këtë aktivitet që Federata e Futbollit ka ndërrmarrë për të organizuar. Është një mesazh që përcillet jo vetëm te vajzat që e duan dhe ndjekin sportin, por te të gjitha gratë. Kanceri i gjirit mund të diagnostikohet në kohë shumë të hershme, të bëjmë vizita, ta kapim në kohë këtë “armik” të përbetuar tonin dhe t’ja dalim me sukses në fund”, tha Trevisa Tufa, gazetare sportive.
“Sporti është promotori kryesor i një jete të shëndetshme dhe kush më mirë se lojtaret në fushë dhe të gjitha femrat të bashkuara të japin këtë lloj mesazhi: të jemi bashkë të gjitha”, Barisa Avllaj, zyrtare e FSHF-së.
“Duke organizuar evente të tilla që kanë të bëjnë me sportin, ne promovojmë jo vetëm një jetesë të shëndetshme duke bërë sport, por edhe faktin që të gjitha ne duhet të kujdesemi dhe të drejtohemi në pikat shëndetësore dhe të bëjmë vizitat e duhura në mënyrë që ta parandalojmë”, Alba Agolli, përfaqësuese e UN Women.
“Organizimi i aktiviteteve të tilla është shumë i rëndësishëm, jo vetëm përgjatë muajit tetor por gjatë gjithë vitit. Mendoj se është shumë e rëndësishme për të dhënë një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat për të bërë një jetë të shëndetshme dhe për të parandaluar duke u kontrolluar jo vetëm gjatë muajit tetor por gjatë gjithë vitit, për një jetë të shëndetshme kundër kancerit të gjirit”, tha Erisa Çela, përfaqësuese e UN Women.