Java e 11-të e kampionatit Abissnet Superiore do të luhet të mërkurën dhe të enjten.
Pas humbjes shokuese me Bylisin në transfertë, Teuta do të kërkojë kthesën në stadiumin “Niko Dovana”, përballë AF Elbasanit, që po befason në këtë kampionat.
Kjo ndeshje do të zhvillohet ditën e enjte në orën 17:00 në Durrës, ndërkohë java e 11-të do të nis me dy sfidat Laçi-Egnatia dhe Tirana-Vllaznia, që do të luhen në orën 14:00.
Klasikja e futbollit shqiptar Tirana – Vllaznia do të zhvillohet në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjes, ndërsa në stadiumin e Laçit do të luhet takimi Laçi – Egnatia.
Dita e mërkurë do të mbyllet me takimin Skënderbeu – Partizani. Ndeshja do të luhet në Korçë në stadiumin “Skënderbeu”, në orën 17:00.
Të enjten në orën 17:00 do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së 11-të. Dinamo City – Bylis do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, dhe Teuta – AF Elbasani në “Niko Dovana”.
Të gjitha ndeshjet e kampionatit “Abissnet Superiore” do të transmetohen live në kanalet e RTSH.