Një destinacion turistik nuk kufizohet vetëm në bukurinë e tij natyrore, klimën e favorshme ose shërbimet me cilësi të lartë.

Një tjetër aset i fortë është arti i kulinarisë, që i kombinuar me prodhimet bio dhe produktet e freskëta të detit kthehet në një pasuri të vërtetë, për çdo qytet mikpritës me turistët.

Durrësi padyshim i posedon të gjitha këto, duke ofruar një përzierje të pasur shijesh dhe traditash.

Me ndalesat tona në disa nga agroturizmat, restorantet apo piceritë e njohura të qytetit, do të mundohemi të sjellim për ju, pjatat më të preferuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Gatimet tradicionale

Ato i gjen kryesisht në agroturizmat, që kanë hedhur shtat vitet e fundit në kodrinat e zonat rurale të qytetit.

Me peisazhin idilik dhe pjatat tradicionale me bazë mishi e perimesh, ato janë dëshmi e trashëgimisë kulinare të trevave të Durrësit e më gjerë.

“Këtu kemi kërkesa më të larta për ushqime tradicionale vendase. Pjesa më e madhe kërkojnë të provojnë japrakun, tavën e dheut, mishin e qingjit, mishin e kecit, zogjtë etj. Ne funksionojmë me menu sezonale, pjesa më e madhe e antipastave dhe pjatave të para kryesore funksionojnë në bazë të stinës”,- thotë për “DurrësLajm”, Armand Malollari, shefi i kuzhinës në një nga agroturizmat më të njohur të qytetit.

Çdo kafshatë ngjall shijet nostalgjike, të gatimeve të gjysheve apo mamave tona.

“Ne mundohemi të ruajmë identitetin e pjatës dhe traditës siç e kanë pas bërë gjyshet apo mamatë tona. Ideja është të ruajmë traditën dhe produktet të jenë sa më të pastra, pa koncentrat dhe bio”,- rrëfen Seni Xhaja, menaxher i restorantit te “Kodra e kuajve”.

Produktet e detit

Durrësi është mbështetur prej kohësh në “bujarinë” e detit Adriatik, me peshkun e freskët, kallamarin e sepjen, si baza të kuzhinës së tij.

Antipastat e ngrohta apo të ftohta, pjatat e para me merluc, barbun, gjuzë, levrek, kocë etj janë mjaft të kërkuara.

“Këtu në breg të detit jemi fokusuar tek prodhimet e detit, peshku, friturat etj. Tek peshku njerëzit shkojnë, marrin një pacion levrek ose kocë, ose një friturë me kallamarë, karkalec etj. Këto i kanë të sigurta”,- na thotë Ilir Sakollari, administrator i restorant-piceri “Rimini”.

Ato tregtohen më shumë në restorantet e shëtitores bregdetare, në zonën e Currilave apo në Plazhin e madh.

Pastat

Lidhja e fortë me Italinë fqinje që në dekadat e para të shekullit të kaluar, e forcuar më shumë dhe me emigrimin masiv në vitet ’90 ka bërë që kuzhina italiane të jetë dominuese në shumicën e menuve, që servirin pjesa më e madhe e restoranteve më të njohura të qytetit.

Pasta që përgatiten në kuzhinat e vetë restoranteve, e kanë suksesin është të garantuar.

“Pastat ose makaronat, shumicën i bëjmë vetë. Makaronat bazë me mbushje psh; si ravioli, tagliatele me salmon, strozzapreti, taglietele me fruta deti. Këto janë pastat, që ne, që kur kemi ardhur, i kemi servirur. Njerëzit ishin pak skeptikë në fillim, nuk i donin, sepse thonin do hamë ato që na ka pas bërë mami te shtëpia”,- thotë Sakollari.

Fluksi i turistëve italianë që kanë frekuentuar Durrësin duket se është reflektuar, në kërkesën e rritur për pasta.

“Spagetti alla carbonara” është gjëja e parë që të thonë. Sa kam shitur këtë vit, nuk kam shitur asnjëherë kaq shumë. E kërkojnë sepse u duket më e sigurtë. Por kur shohin dhe pastën e freskët tek klientë të tjerë na thonë: Ma bëj dhe mua këtë pastë!”.

Picat

Italia njihet në të gjithë botën për picat, por edhe piceritë e Durrësit nuk mbeten më prapa. Sidomos tani që frekuentues të rregullt të tyre janë me qindra shtetas italianë, që vitet e fundit janë bërë banorë rezidentë të qytetit bregdetar. Mes gamës së larmishme që u serviret dhe pjekjes në furra druri, klientela mund të përzgjedhë picën që preferon më shumë.

“Picat me rukola, me pomodorini, me grana, me proshutë krudo dhe me bresaola i kërkojnë shumë. Picat me tartuf, me këpurdha porcini të freskëta janë gjithnjë të konsumueshme. Klientët tanë, që janë italianë dhe bëjnë krahasimin e picave të Italisë me picat që bëjmë ne këtu janë shumë të mira”,- tregon Tahir Zheli, kryekamarier në picerinë “4 stinët”.

Madje në disa raste, restorantet servirin edhe picën e shtëpisë, një kombinim me disa nga ingredientët më të shijshëm e më të kërkuar.

“Pica jonë, pizza della casa ka në përbërje të saj djathin emmental, sallam pikant, proshutë cotto. Përzihen së bashku me vaj, që të lidhen përbërësit ushqimorë të saj. Para se të futet në furrë i shtohen kërpudha porcini ekstra. Pasi del nga furra i hedhim grana padano, (scaglia) djath me feta siç i thonë italianët“.

Pijet tradicionale shqiptare

Nuk janë ushqime, por janë shoqëruese të pandara të tyre, sidomos në dreka apo darka.

Bëhet fjalë për verërat apo birrat shqiptare, të cilat nuk mbetet turist i huaj pa i kërkuar dhe pa i shijuar deri në fund.

“Na pëlqen shumë vera e bardhë dhe e kuqe e juaja. Vijmë nga Gjermania dhe na pëlqejnë edhe birrat tuaja”.

“Janë të mira. Birrat shqiptare na pëlqejnë shumë”,- na thonë disa turistë gjermanë.

Këtë fakt e konfirmojnë edhe menaxherët e restoranteve më të njohura.

“Të gjithë turistët janë shumë të interesuar për të provuar pijet vendase. Pijet vendase kanë kërkesë shumë të madhe dhe kryesisht japin një rivieë shumë pozitive për verërat lokale, për rakinë tradicionale, që ne bëjmë, sepse bëjmë shumëllojshmëri rakish”.

“Si tek birra, si tek vera kërkojnë produktet tona. Këtë vit shumë verëra shqiptare janë tregtuar në ambientet tona. Kemi gamë të larmishme. Edhe birrën, edhe verën e duan!”.

I bekuar me një klimë mesdhetare, Durrësi i gëzohet një sezoni turistik që shtrihet nga maji deri në nëntor.

Me një shtim të ndjeshëm të numrit të turistëve elitarë, restorantet dhe agroturizmat vendase kanë rritur standardet e tyre për të përmbushur pritshmëritë e klientelës.

“Menuja ka ndryshuar. Ka ndryshuar në aspektin e kualitetit më tepër. Japim më shumë kualitet tek prodhimi që nxjerrim në tavolina”.

Angazhimi i tyre për cilësinë përfshin partneritete të ngushta me fermerët e zonës, duke siguruar një furnizim të vazhdueshëm me produkte të freskëta, organike e pa kimikate.

“Jemi gjatë të gjithë kohës në lidhje me fermerët e zonës dhe kjo është një stimul edhe për ta, që të jenë gjatë të gjithë kohës në veprimtari me tokën e tyre duke e punuar dhe duke na ofruar neve produktin bio dhe ashtu siç na duhet për të servitur këtu pjata të stinës dhe pjatat më të shijshme të mundshme.” – na thotë menaxheri Xhaja.

Me çdo cep të tij të mbuluar nga dielli, Durrësi fton vizitorët të shijojnë, jo vetëm bregdetin dhe trashëgiminë kulturore, por edhe frytet e tokës shqiptare.

Çdo pjatë tregon një histori të traditës, të detit dhe të tokës, të duarve që kanë përgatitur receta të transmetuara ndër breza.

M.B.