Tirana dhe mbarë opinioni publik është tronditur mesditën e djeshme pas një ngjarjeje tragjike, ku një 14-vjeçar u vra me thikë dhe një tjetër u plagos nga një bashkëmoshatar i tyre.
Ngjarja ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku pas një sherri që dyshohet se kishte nisur disa ditë më parë, një 14-vjeçar, i arrestuar tashmë, ka goditur disa herë me thikë Martin Canin, plagë të cilat i morën jetën. Katër plagë ka marrë edhe një tjetër i mitur, shok me viktimën, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, në rrjetet sociale janë shpërndarë disa foto të autorit të dyshuar, i cili pozon “me krenari” pas krimit, teksa shfaqet i ulur në sediljen e pasme të një mjeti. Në foto ai tregon edhe dorën e tij të gjakosur e të fashuar, pasi është lënduar gjatë sulmit.
Po ashtu kanë qarkulluar edhe foto të thikës me përmasa të mëdha, me të cilët dyshohet se ka kryer aktin e rëndë.
Por një tjetër video shqetësuese po qarkullon në rrjetet sociale, ku dy të mitur, flasin për ngjarjen. Nga komunikimi mes tyre kuptohet që njëri prej fëmijëve është kushëriri i autorit të dyshuar të vrasjes, ndërsa fëmija tjetër thotë se njihej me të virtualisht, pasi më parë kanë qenë në një grup virtual.
Gjatë komunikimit ata shprehen se kushdo që i shan do ta bëjnë shembull, teksa jo vetëm që nuk dënojnë aktin e rëndë, por “duartrokasin” autorin e vrasjes së Martinit, vetëm 14 vjeç.
Videoja, e cila për arsye etike dhe ndjeshmërie të lartë të opinionit publik, “DurrësLajm” nuk po e publikon, duhet të shërbejë si një tjetër kambanë alarmi për të ndërgjegjësuar shoqërinë, prindërit, por dhe institucionet!
Duhet të shërbejë për të reaguar në kohë dhe të për diskutuar e këshilluar fëmijët, për të marrë masa, apo edhe për të kontrolluar aktivitetin e të miturve në rrjetet sociale.