Pas 14 javësh kampionat, Teuta vijon të jetë në vendin e gjashtë në klasifikim, ku për asnjë moment gjatë këtij sezoni nuk i është larguar këtij pozicioni. Mirëpo, në ndeshjen me Dinamon këtë të shtunë, blutë shpresojnë të një fitore, e cila mund të përkthehet edhe me ngjitjen më lart. 14 javë ndoshta nuk janë shumë, por edhe pak nuk mund të konsiderohen për të bërë disa bilance. Ja një vëzhgim i situatës së golave te Teuta, kur i pëson dhe shënon.

Blutë janë një nga tri skuadrat me mbrojtjen më të dobët në këtë kampionat, sepse deri më tani kanë pësuar plot 20 gola. Jo më kot trajneri Martini e sheh këtë repart si më problematikun dhe ende nuk ia ka gjetur çelësin e suksesit. Nga “skaneri” i golave të pësuar deri më tani, rezulton se starti i dy pjesëve është vërtet problematik për skuadrën. Thuhet kështu, pasi 5 deri më tani i kanë pësuar në harkun e minutazhit 40-90. Në total janë 6 pikë të lëna në tri ndeshjet e fundit. Sakaq, momenti më i mirë i skuadrës është gjatë mesit të pjesës së dytë, ku deri më tani ka ditur të mbajë të paprekur portën. Sa u përket pjesëve, skuadra pëson njëlloj si në të paren, ashtu edhe në të dytën.

Teuta pëson shumë, por nga ana tjetër as nuk shkëlqen për shënimin e golave. Deri më tani ekipi ka gjetur 14 herë rrugën e rrjetës, me mesatare një gol për ndeshje. Rezulton se momenti më efikas për skuadrën, janë pikërisht meset e dy pjesëve, minutazhi 16-30 dhe 61-75, ku ekipi shënon respektivisht nga 2 gola. Sa i përket fillimit dhe fundit të pjesës së parë, skuadra nuk shkon asnjëherë te goli, duke u konsideruar si jo pak problematike. Në lidhje me pjesët efikase, e dyta është shumë më e mirë, sepse skuadra shënon dhjetë herë, përkundrejt katër në të parën. Skuadra ka vuajtur shumë edhe nga mungesat në javët e fundit, aq sa në disa sfida ka pasur edhe 2-3 lojtarë të formacionit, që nuk kanë qenë në dispozicion të trajnerit Edi Martini. Për sfidën e radhës me Dinamon, duket se Vila mund t’ia dalë. Në mesfushë është kthyer Arbër Çyrbja.