Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryebashkiakët e vendit në ambientet e Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij Rama deklaroi se pas shkarkimit nga detyra, Fatos Tushe do të përjashtohet edhe nga Partia Socialiste.
Kryeministri shtoi se PS-ja nuk është zyrë avokatie e të padehurve dhe të akuzuarve nga drejtësia, por është fuqia e votuar nga shqiptarët për t`i shërbyer qytetarëve të saj.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:
Shkaku që është përshpejtuar takimi, është ai i arrestimit i kryebashkiakut të Lushnjes. Nuk është detyra ime dhe as e PS-së që të kërkojmë pafajësinë e tyre, ky është rasti për t’ju përsëritur juve dhe gjithë të tjerëve që kanë marrë apo marrin besimin e shumicës sonë, se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve dhe të akuzuarve nga drejtësia, por është fuqia e votuar nga shqiptarët për ti shërbyer qytetarëve të saj.
Korrupsioni, rryshfeti, bakshishi, nuk kanë ngjyrë politike, dhe janë e zeza me të cilën ne do të përballemi në rrugën për të ndërtuar drejtësinë, duke refuzuar çdolloj mbrojtje për secilin prej nesh që mund të jemi pjesë e tyre.
Kryetari i Bashkisë së Lushnjes do të shkarkohet nga detyra dhe do të largohet nga PS, masa që do të rishihen vetëm në rast se ai do të shpallet i pafajshëm. Ne i marrim këto masa për të dhënë një mesazh të qartë për ata që janë përgjegjës për taksat e qytetarëve.





