Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka folur sot në rubrikën “Opinion”, në News24, për dy ngjarjet e rënda të ndodhura në Durrës, ku një nënë e re humbi jetën pak ditë pas lindjes së fëmijës dhe një 20-vjeçar mbeti viktimë, pasi i shpërtheu goma e makinës, në gomisterinë ku punonte.
Për të dyja rastet pati akuza nga familjarët se ambulanca kishte shkuar me vonesë në vendngjarje, por sipas mjekut Brataj një gjë e tillë nuk është e vërtetë sepse ambulanca nuk vonohet, përveç rasteve kur ka mbingarkesë.
“Nuk kam të dhëna sa i përket orës kur ka mbërritur ambulanca, megjithatë e gjej në çdo moment. Për 20-vjeçarin që humbi jetën te gomisteria nuk është e vërtetë, 9-10 minuta pas thirrjes ka mbërritur ambulanca. Ka qenë gomë e madhe, me presion 2.3-2.4 ballë. Varet ku të kapë, po të kapi trupin, organet e brendshme dhe fytyrën, normal që presioni është shumë i madh dhe humbet jetën në moment. Mesatarja e mbërritjes së ambulancave ka qenë 13.8 minuta në të gjithë Shqipërinë, jemi brenda standardeve. Ambulanca mund të ndodhë të vonohet, në raste kur ka mbingarkesë. Njeriu që ka një hall i duket minuti orë, por nuk na rezulton të kemi pasur vonesa. Kushdo që ka paqartësi, mund t’i drejtohet 127, sepse ne i verifikojmë.”