Stacioni i energjisë bërthamore Betznau në Zvicër, i cili konsiderohet si termocentrali bërthamor më i vjetër në botë, do të ndalojë së funksionuari në vitin 2033, ka njoftuar kompania që e menaxhon. Por grupi mjedisor “Greenpeace” bën thirrje që termocentrali të mbyllet menjëherë.

Termocentrali bërthamor ka qenë pjesë e rrjetit elektrik të Zvicrës që nga viti 1969 dhe do të qëndrojë i tillë “deri në vitin 2033”, – tha grupi energjetik Axpo. Në vitin 2017, zviceranët votuan në një referendum për të hequr gradualisht termocentralet bërthamore, të cilat aktualisht ofrojnë 29% të energjisë elektrike të vendit. Ligji i miratuar ndalon ndërtimin e stacioneve të reja bërthamore .

Ligji ishte rezultat i një procesi të gjatë që filloi pas katastrofës bërthamore të Fukushimës, e cila u shkaktua nga një cunami gjigant, në mars 2011 në Japoni. Pesë reaktorët bërthamorë të Zvicrës mund të vazhdojnë të funksionojnë nëse konsiderohen të sigurt. Por organizatat mjedisore kanë kërkuar prej vitesh mbylljen e dy reaktorëve Betznau.

Beznau 1, i cili ka qenë në funksion që nga viti 1969, do të pushojë së funksionuari në 2033 ndërsa Beznau 2, i cili është dy vjet më i ri, do të mbyllet në 2032, tha Axpo. Kompania do të investojë 350 milionë franga zvicerane për të siguruar funksionimin e termocentralit deri në vitin 2033. Në total, që nga dita e futjes në punë të reaktorëve, kompania ka investuar më shumë se 2.5 miliardë franga për përmirësimin dhe modernizimin e objekteve.

“Greenpeace” reagoi ndaj njoftimit duke theksuar se “zgjatja e jetëgjatësisë së Betznau është një eksperiment i padobishëm dhe i rrezikshëm”. Georg Klinger, një ekspert për çështjet e klimës dhe energjisë, theksoi se Betznau “duhet të ndalojë së funksionuari”.

“E ardhmja janë burimet e rinovueshme të energjisë, të cilat ulin rrezikun për popullatën. Ne gjithashtu shmangim kështu prodhimin e maleve të mbetjeve radioaktive dhe forcojmë pavarësinë tonë”, – shtoi ai. Zvicra shpreson se në të ardhmen do të bëhet një nga vendet e pakta që do të ruajë mbetjet radioaktive thellë nën tokë.