Një shtetas ende i paidentifikuar ka goditur një transformator të energjisë elektrike me një mjet, të cilin policia dyshon se mund të ketë qenë një kamion, duke lënë mbi 200 familje pa furnizim me energji elektrike.
Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet e fshatit Bucimas, në bashkinë Pogradec. Grupet e punës të OSHEE-së kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, së bashku me efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Dëmi i shkaktuar në transformator është i madh, dhe pritet që të nevojiten disa orë pune për rikthimin e tij në gjendjen e mëparshme. Autori, pas kryerjes së veprës, është larguar nga vendi i ngjarjes, ku transformatori ndodhej në një lagje të banuar.
Sipas burimeve zyrtare nga OSHEE, është duke u shqyrtuar mundësia e vendosjes së një transformatori të ri, pasi ai ekzistenti ka pësuar dëmtime të mëdha nga goditja dhe rënia.
Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar nga elektriciteti gjatë incidentit, edhe pse transformatori ndodhet në një zonë pranë banesave.