Që prej disa javësh, Teuta po kalon një moment jo të mirë në ecurinë e saj. Java javës, durrsakët kanë lënë shumë pikë dhe tashmë është momenti të ndryshojnë fatet e këtij kampionati që po zhvillojnë. Përballë tyre të dielën vjen Egnatia, një kundërshtar që historia i ka buzëqeshur me 11 fitore në 17 ndeshje të zhvilluara.

Flasin faktet, por gjithçka i ngelet fushës, sepse rrogozhinasit nuk janë të njëjtët. Po dhe Teuta ka ndryshuar shumë ku në 5 ndeshjet e fundit mes skuadrave, ajo ka arritur 2 fitore dhe 3 barazime. Skuadra e Edi Martinit duket po gjen ekuilibrat, duke pasur atë agresivitet që kemi parë edicionin e shkuar, e duke rritur besimin. Ndryshimet e shumta duket se janë përshtatur teksa ekipi ka marrë një tjetër fytyrë nga edicioni i kaluar. Në 8 javët e fundit, Teuta përpos rezultateve, ka mbetur në vendin e 6-të dhe po afron fundi i fazës së dytë.

Teuta është në kërkim të vazhdimësisë në kampionat dhe në Durrës, vijojnë përgatitjet intensive nën drejtimin e trajnerit Edi Martini në pritje për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Kundër rrogozhinasve, tekniku Edi Martini, dhe stafi teknik kanë zhvilluar një seancë tekniko-taktike. Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që garon për një vend në mes të mirave. Megjithatë, të besuarit e Martinit besojnë se do t’ia dalin.

Skuadra po punon intensivisht. Në takimin e së dielës ekipi nuk do të jetë i plotë, por kjo nuk e pengon Martinin të përzgjedhë formacionin më të mirë. E megjithatë, para se të niste stërvitja për llogari të javës së 18-të, fillimisht trajneri Martini dhe stafi i tij kanë zhvilluar një analizë të shkurtër me të gjithë ekipin. Tekniku është munduar që të mobilizojë grupin dhe hapur ka kërkuar reflektim për ndeshjet e radhës. Misioni mbetet i qartë, pikët.

Dhe kur kampionati ka hyrë në një fazë delikate, tashmë gabimet janë thuajse të ndaluara. Rivalët janë shumë pranë dhe një hap fals tjetër i durrsakëve do të rrezikonte pozitat në renditje. Këtë, “djemtë e detit” e kanë më shumë se qartë. Gjatë gjithë kohës e është përsëritur se për Teutën e rëndësishme është të mbledhim pikët për të qenë sipër në renditje dhe më pas të mendojmë për gjëra të tjera, sepse gara është e hapur akoma. Ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Sulmi është sektori që po merr vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë.