Më 6 dhjetor në ambientet e shkollës Pavarësia u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave dhe medaljeve për nxënësit fitues të Olimpiadës së Anglishtes në rang Republike.
Në Durrës kjo olimpiadë organizohet në shkollën “Pavarësia” ku pjesëmarrës janë nxënës nga klasa 1-12 nga të gjitha shkollat e qytetit.
Eventi nisi me një atmosferë festive dhe mikpritëse, ku mësuesja e anglishtes Dajana Gërdani mbajti një fjalim përshëndetës, duke vlerësuar arritjet e nxënësve dhe duke falënderuar organizatën “Star Balkans” për mbështetjen e vazhdueshme. Ajo theksoi rëndësinë e promovimit të dijes dhe suksesit përmes aktiviteteve të tilla.
“Sot është një ditë shumë e veçantë për të shpërblyer arritjet e nxënësve. Ky është një moment i jashtëzakonshëm që tregohet jo vetëm më aftësitë e tyre të jashtëzakonshme, por edhe përpjekjen, durimin e pasionin që ata kanë treguar gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë mësuesit dhe mentorët që i kanë udhëhequr dhe mbështetur nxënësit”, thotë mësuese Dajana.
Edhe drejtori i përgjithshëm i “Star Balkans” Musa Coha, ndau një mesazh motivues, duke nënvizuar rëndësinë e punës së palodhur dhe përkushtimit.
“Këta nxënës janë shembulli më i mirë i potencialit të rinisë sonë. Nuk ka rëndësi nëse keni marrë medalje bronzi, argjendi apo ari. Nuk është e rëndësishme fare. Nëse nuk e keni marrë këtë konkurs, është konkursi i radhës, është eventi i radhës, sfida e radhës, e cila duhet t’ju përgatisë ju që të jeni më të fortë në sfidat më të rëndësishme që do të vijnë nesër, pasnesër, jo vetëm me sfidat që kanë lidhje me arsimin, por edhe me fusha të tjera në jetë,” u shpreh Coha gjatë fjalës së tij.
Nxënësit u thirrën një nga një për të marrë medaljet e arta, të argjendta dhe të bronzta, të cilat simbolizojnë vendet e para, të dyta dhe të treta në Olimpiadë, renditje kjo në rang republike.
Çdo fitues, nga të cilët 12 janë nga shkolla “Pavarësia”, mori gjithashtu një certifikatë që dëshmonte suksesin e tij.
Shkolla “Pavarësia” krenohet me të gjithë nxënësit fitues dhe gjithashtu shprehet falënderuese ndaj organizatës “Star Balkans” e cila ka treguar se kur vëmendja dhe mbështetja i drejtohen arsimit, rezultatet janë gjithmonë frytdhënëse.