Ish-trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, tha se krenaria e Pep Guardiolës i kushton atij trofe, duke e akuzuar spanjollin se po përpiqet në mënyrë aktive të rrëmbejë vëmendjen nga yjet e tij.
Mançester Siti është në një ecuri të pabesueshme rezultatesh që i ka parë ata të humbasin shtatë nga 10 ndeshje dhe goditja e tyre e fundit erdhi nga Juventusi, pasi humbën 2-0 të mërkurën mbrëma në Ligën e Kampioneve. Guardiola, i cili shihet nga shumë tifozë si një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit, ka fituar 18 trofe si trajner i Sitit, me gjashtë tituj Premier Lige dhe një Champions në emrin e tij.
Por trajneri italian tha për “Sky Sport Italia” përpara ndeshjes në Torino: “Guardiola është një trajner i madh, por ai është shumë arrogant dhe mendjemadh”. “Ndonjëherë ai ka humbur edhe trofe sepse donte të provonte se ishte ai që fitonte dhe jo lojtarët, kështu që ai hoqi figurat kryesore nga skuadra në ndeshjet e mëdha. Kjo ishte, për mendimin tim, një përpjekje për të hequr vëmendjen dhe meritat nga skuadra e tij”. Don Fabio ishte duke iu referuar humbjes 1- 0 të Sitit në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Çelsit në vitin 2021, kur ai befasoi duke lënë jashtë Fernandinjon dhe Rodrin. Ai i referohej gjithashtu edhe momentit kur luajti me tre mbrojtës kundër Lionit në çerekfinalen e vitit 2020 dhe ndeshjen në 1/8-at në 2017 kundër Monakos, kur në vend që të mbronte një avantazh prej dy golash nga ndeshja e parë, ai futi në fushë pesë sulmues dhe la Jaja Turenë në pankinë.
Guardiola kishte pranuar se i kishte ndërlikuar gjërat. “Në Champions gjithmonë mendoj shumë. Unë mendoj shumë, absolutisht”, tha ai një herë. “Kjo është arsyeja pse kam pasur rezultate të mira. Më pëlqen të mendoj shumë dhe të krijoj taktika idiote”. Guardiola e ktheu Edersonin titullar në vend të Stefan Ortegës në Torino. Por Ederson nuk mundi të largonte pengonte yjet e Juventusit, Dushan Vlahoviç dhe Ueston MekKeni të shënonin dhe Paolo Di Kanio e kritikoi atë. “Ederson ka talent, por ai është aq arrogant sa i bën këto gabime për shkak të besimit të tepruar dhe përpjekjes për t’u dukur, si një goditje me thembër prapa kur është nën presion”, tha legjenda e Uest Hemit. Kapelo u pajtua se Ederson ishte një katastrofë dhe i bëri thirrje Guardiolës që ta ulte atë në stol derisa ai të ndryshojë mënyrat e tij.





