Shoferët nën ndikimin e alkoolit ose drogës tashmë do mund të sinjalizohen nga një kamerë e Inteligjencës Artificiale, e cila po testohet për herë të parë në Devon dhe Cornwall, në Britani.
Pajisja e fundit “Heads-Up” mund të zbulojë nëse drejtuesi i mjetit është nën efektin e pijes ose lëndëve narkotike. Pas sinjalit të kamerës, policia rrugore mund të ndalojë automjetin, të flasë me shoferin dhe të bëjë testin për alkool apo substanca të tjera.
“Jemi të kënaqur që po kryejmë provat e para në botë të kësaj teknologjie pikërisht këtu në Devon dhe Cornwall”, – tha Geoff Collins, menaxheri i kompanisë britanike Acusensus, e cila po ndërton pajisjen.
Kamera mund të zhvendoset shpejt në çdo rrugë në çdo qark, pa paralajmërim dhe drejtuesit nuk do e kuptojnë që janë pikasur derisa policia t’i ndalojë.
“Do të jemi më të sigurt nëse do mund të zbulojmë shoferët e papërgjegjshëm përpara se të shkaktojnë aksidente që mund të shkatërrojnë jetë”, – shtoi Collins.
Kamerat Acusensus janë përdorur më parë për të ndihmuar policinë të kapte shoferët që përdornin telefona celularë në timon ose ata që nuk vendosnin rripat e sigurimit.