Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë kryqëzimit të fshatit Libonik. Një mjet tip “BMW”, ku udhëtonin tre persona, ka humbur kontrollin, duke u përplasur fillimisht me barrierat mbrojtëse dhe më pas ka përfunduar jashtë rrugës nacionale.
Përplasja e fortë ka shkaktuar dëmtime për tre personat që ndodheshin në automjet. Fatmirësisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa u është dhënë ndihma mjekësore e nevojshme.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit mund të jetë shkaktuar nga shpejtësia e lartë ose kushtet e rrugës, por hetimet po vijojnë për të sqaruar çdo detaj.
Policia apelon për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në këtë aks rrugor, i cili shpeshherë është bërë vatër e aksidenteve për shkak të shpejtësisë dhe mungesës së vëmendjes nga drejtuesit e automjeteve.