Teuta zhgënjen në Europë, pasi është mposhtur me rezultatin e thellë 0-4 nga moldavët e Sherif Tiraspolit, në ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues në Champions, zhvilluar në “Niko Dovana”.
Kampionët e Shqipërisë bënë një ndeshje për t’u harruar dhe u pa qartë që ishin shumë më dobët fizikisht sesa kundërshtari, teksa humbja me rezultatin e thellë e bën takimin e kthimit vetëm një formalitet, pasi vetëm një mrekulli mund ta kualifikojë Teutën në turin e dytë të Champions-it.
Humbja 4-0 ndaj Sherif Tiraspolit natyrisht që nuk mund të kalonte pa u analizuar. Për këtë arsye, para stërvitjes, për 20 minuta është zhvilluar analiza e kësaj ndeshjeje, por edhe e situatave të krijuara. Megjithatë, nga ajo çfarë është kuptuar, secili nga pjesëtarët e skuadrës ka marrë përgjegjësitë e veta. Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, kanë premtuar maksimumin në ndeshjen e kthimit në Moldavi. Teuta ka zhvilluar seancën e parë stërvitore pas humbjes duke nisur kësisoj edhe përgatitjet për ndeshjen e dytë me Sherif Tiraspolin.
Përpara fillimit të saj, është zhvilluar edhe analiza e humbjes, ku kanë diskutuar stafi dhe futbollistët. Gjatë 20 minutave që ka zgjatur kjo analizë, më shumë ka folur trajneri Martini, i cili u ka shpjeguar edhe një herë futbollistëve situatën ku ndodhet skuadra dhe ka kërkuar prej tyre të marrë vesh arsyet që çuan në këtë humbje në ndeshjen ndaj moldavëve.
Të gjithë kanë bërë autokritikë për disfatën, por nga ana tjetër, është theksuar se e gjitha kjo që po ndodh është vetëm psikologjike, sepse skuadra në stërvitje është shumë mirë dhe do të mjaftojë një fitore për të dalë nga kjo situatë.
Trajneri Martini ndërkohë u ka kërkuar futbollistëve reagim që në ndeshjen e kthimit, e cila në të vërtetë duhet menduar si një finale, sepse tashmë Teuta nuk ka çfarë të humbasë. Pas kësaj analize, ekipi ka vijuar me stërvitjen dhe gjendja duket e mirë, teksa të gjithë kanë filluar të mendojnë për sfidën e së martës. Stafi teknik punoi me dy grupe, ku lojtarët që ishin titullarë zhvilluan një seancë rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës kreu një seancë me intensitet të plotë.
KONFERENCË LIGË– Inter Eskalades, skuadra nga Andorra, me shumë mundësi do të jetë kundërshtari i radhës i Teutës në Europë, ku pas eliminimit të mundshëm nga Champions kalon në turin e dytën të Konferencë Ligës. Vetëm mrekullia në Moldavi ndaj Sherif Tiraspolit mund ta anulonte këtë sfidë.
Kalimi në Konferencë Ligë është një mundësi e mirë për durrsakët, pasi kundërshtari i mundshëm është i një nivel të dobët dhe rruga në këtë kompeticion mund të jetë më e gjatë dhe fitimprurëse për arkat e klubit. Kështu që, ndeshja e kthimit me Sherifin mund të jetë edhe si një përgatitore për “djemtë e detit” për të menduar më pas për Inter Eskalades.