Nga Gëzim KABASHI
“Bujqësia biologjike”, libri i fundit i prof. Enver Isufit është promovuar ditën e hënë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.
Pas 10 librave me të njejtën temë, profesori i nderuar u vlerësua nga kolegët e tij të shkencave të ndryshme dhe nga drejtuesit e institucioneve bujqësore për punën e tij të palodhur dhjetravjecare në Durrës dhe në rrethe të tjera të vendit.
Shkrimi që po botojme me poshtë është publikuar 12 vjet më parë, dhe përbën një përshëndetje të ngrohtë në prag të vitit 2025 për punën dhe miqësinë që fal profesori Bio.
Me profesorin e bujqësisë
Enver Isufi është drejtor i Institutit të bujqësisë biologjike, me qendër në Durrës. Profesori trupvogël nuk është shkencëtari që mbyllet në zyrë, përkundrazi. E shoh tek vrapon në një nga trotuaret e Shkozetit për të qenë korrekt në orarin e takimit dhe nuk më besohet që pas dy muajsh ai do të jetë 60 vjeç.
Njeri vital dhe mjaft kërkues ndaj vehtes Enver Isufi e ka nisur jetën mes fushave në Leshtej-Çollakë të Kavajës, ku edhe ka lindur, për të mos ndaluar kurrë. Nga kodrat e Kryevidhit ku punoi si agronom, Enver Isufi ka provuar gjithçka në bujqësi, ka provuar madje të shkruajë, jo pak po 10 libra, si dhe dhjetra punime shkencore me kolegët që i vlerëson shumë.
Edhe biseda jonë për bujqësinë biologjike nis në oborrin e Institutit, atje ku prof. Enveri ka krijuar një kopësht të vogël demostrativ, që mund ti shërbejë si shembull edhe familjeve që kanë një baçe të vogël.
Në hyrje dy kosha të mëdhenj ku mblidhen veç mbetjet organike, si letra kartoni, bar i kositur, gjethe, etj., të cilat kompostohen dhe bëhen pleh, ndërsa tjetri për shishet e plastikës.
Një shishe birre mes bimëve më bën përshtypje dhe përgjigja e prof. Enverit nuk vonon: Për mbrojtjen e bimëveve perimore dhe luleve nga kërmijtë përdoret birra. Birra gjatë fermentimit i tëheq kërmijtë-tregon prof. Enveri.
Birra futet në fundin e shisheve të ujit që priten 10 cm thellësi dhe ky fund shisheje futet në tokë, që buzët e saj të jenë paralel me tokën që kërmijtë të mos kenë problem të futen të lëngun e birrës.
Mësime si këto gjatë qëndrimit me prof. Enverin mund të marrësh jo pak. Ai tregon se përveç këtij oborri, Instituti I bujqësisë BIO ka një parcelë eksperimentale prej 1,5 ha në Fllakë ku kryen provat fushore për studime të ndryshme në mbrojtjen e bimëve, plehërimin e bimëve, provohen kultivarë të ndryshë. Po këtu janë mbjellë edhe 3 dynym vreshtë dhe 3 dynym mollë për prodhimin e fidanave resistent ndaj sëmundjeve kryesore.
Këshillat për fermerët nuk mbarojnë këtu. Një buletin shërbimi që shpendahet me SMS në celularë apo në internet, i mban gjithmonë të informuar njerëzit që punojnë në bujqësi.
Prof. Enveri na tregon se në rrethin e Durrësit ka të paktën 10 ferma BIO, që nga Ishmi e Hamallaj në veri deri në Shkallnur në jug, e ku prodhohen rrush, asparagus, perime, qershi e ullinj.
Prof Bio për ullirin
Bujqësia BIO është një nga pasionet e mëdha të Enver Isufit. Ai punon me këto projekte që në vitin 1997, kur bashkë me disa intelektualë të tjerë formoi Shoqatën e parë të bujqësisë organike. Ndërkohë studimet e tij ishin perfeksionuar në Gjermani, Hollandë e Itali.
Ai punon me programet zvicerane që prej vitit 2001, produkt i të cilit ishte filimisht shoqata “Bio Adria” e më pas Instituti i Bujqësisë BIO, që drejtohet pikërisht nga prof. Enver Isufi.
-Përse duhet zhvilluar ky sistem bujqësie?
-Vendet e vogla si Shqipëria, e kanë të domosdoshme ta zhvillojnë këtë sistem bujqësie. Nqs vendet e mëdha e vlerësojnë, vendet e vogla duhet ta mbivlerësojnë atë. Nga të dhënat e fundit rezulton se 10 vendet me bujqësi BIO të përparuar janë vende të vogla, pasi BIO konsiderohet si element mbijetese në ekonominë e hapur të tregut.
Vendet e vogla janë të detyruara të prodhojnë me kualitet. Një ekonomi bujqësore me kualitet nuk është e shëndetshme vetëm për vendin, e për mjedisin
Sa më i mirë të jetë ushqimi, sa më e besueshme të jetë pjata shqiptare, aq më shumë turistë do të vijnë.
Kjo kërkon një teknologji të mirë bujqësore.
-Sa mbështetet bujqësia BIO?
-Institucionet që mbështesin bujqësinë BIO janë ngritur, po shtohen kërkesat për produktet, por edhe numri i prodhuesve BIO.
Edhe qeveria shqiptare po i mbështet fermat BIO me subvencione.
Mbështetja financiare ka elementin ekonomik, por edhe elementin psikologjik. Ne ende nuk jemi të kënaqur me hapat, por jemi të kënaqur pasi jemi në drejtimin e duhur.
-Cila është situata aktuale e ullirit?
-Të gjitha vendet e botës që nuk kanë ullinj janë xheloz me rajonet e ullirit.
Vendet mesdhetare janë xheloz me Shqipërinë që ka një ullishtari, ndoshta nga më të vjetrat.
Ne nuk hyjmë te vendet e pasura, por shqiptarët e kanë ruajtur ullirin.
Kohët e fundit është ndërmarrë një aksion kombëtar për ta ruajtur ullirin.
Qeveria ka evidentuar me ndihmën e Universitetit bujqësor dhe Shërbimit këshillimor të gjithë ullinjtë shekullorë dhe ka marrë nismën se kush ruan ullinjtë shekullorë që ka përqark oborrit do të shpërblehet.
Këto do të jenë të lakmueshëm për t’u vizituar.
Unë kam bërë një libër për ullirin, me 200 faqe i përkthyer në 6 gjuhë, por mua më kanë bërë të njohur 10 faqet e intervistës me ullirin.
Ulliri është një filozof i madh dhe kjo broshurë kërkohet mjaft në internet.
Çfarëdo që të flasësh për ullirin i je borxh, sado që të flasësh përpara tij je budalla.
Ullinjtë mijëvjeçarë, tashmë të vizitueshëm
Ullinjtë më të vjetër në vendin tonë ndodhen në disa nga fshatrat e Shqipërisë së mesme dhe mosha e tyre mund të jetë mijëvjeçare.
Prof. Enver Isufi, specialist i bujqësisë BIO thotë se në kodrat rrëzë malit të Dajtit, në Petrelë dhe në qafën e Tujanit ndodhen disa nga ullinjtë më të hershëm të Shqipërisë. Tashmë ka nisur puna për ti shpallur monumente natyrorë, të vizitueshëm nga turistë vendas dhe të huaj.
Ullinjtë që ndodhen në fshatin Linzë kanë një pamje shumë të bukur dhe në zgavrën e tyre ka vend për të luajtur apo për tu fshehur-flet me entuziasëm prof. Enver Isufi. Tre ullinj të tjetër mjaft të motshëm ndodhen edhe në afërsi të kalasë së Petrelës dhe mund të shihen edhe nga kulla e saj.
Ato një diametër prej disa metrash dhe gjatë rritjes shumëshekullore duket qartë edhe zgjerimi me fidanë të lindur pranë rrënjëve të vjetra.
Sipas specialistit të bujqësisë përcaktimi i moshës së ulinjve nuk është i thjeshtë dhe ai mund të bëhet vetëm në laboratorë të profilizuar, por mosha e ulinjve që janë marrë në studim disa herë i kalon 1 mijë vjet.
Vendi ynë ka një traditë shumë të mirë në kultivimin e ullinjve, të dokumentuar të paktën që nga koha e Skenderbeut. Në kushtet e mbjelljes masive të fidaneve të rinj që subvencionohen nga shteti, kujdesi dhe rivlerësimin i ullinjve qindravjeçarë përbën një tjetër nxitje për vazhdimësinë e kësaj tradite.
Prof. Enver Isufi disa vjet më parë ka botuar librin “Bisedë me ullirin”, i përkthyer edhe në disa gjuhë të tjera.
Foto nga Astrit Tahiri