Teuta ka zyrtarizuar ditët e fundit rikthimin në skuadër të mbrojtësit të majtë, David Gjinollari, i cili ka firmosur me blutë.Gjinollari ishte pjesë e Ferronikelit në Kosovë gjatë këtij sezoni, por ka preferuar që të luajë sërish për durrsakët. Pas prezantimit me fanellën blu, Gjinollari thekson se:

David, pse vendosët të riktheheni tek Teuta?

Jam rikthyer dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mbarë për mua dhe për Teutën. Të them të drejtën, gjëja e parë që më bëri të marr këtë vendim ishte respekti dhe mikpritja e klubit. Kam qenë më herët këtu dhe kam kaluar mirë, kam bërë paraqitje të mira, ndërkohë që gjeta sërish ishshokët e ekipit. Mendoj se së bashku mund të ecim përpara.

Çfarë mund të japë Gjinollari tek Teuta në vazhdim të këtij kampionati?

Nuk e di, nuk mund ta them tani dhe nuk dua të flas për numra. Do të shohim në fund të sezonit se çfarë mund të kem bërë, por e rëndësishme është që jam i gatshëm të jap më të mirën për këtë klub.

Në skuadër ka konkurrencë të madhe për një vend titullari. Ju tremb ky fakt?

Asnjëherë nuk më tremb konkurrenca. Mendoj se konkurrenca është diçka pozitive në futboll dhe në një skuadër si Teuta. Dua të jap kontributin tim që kjo skuadër të shkojë në vendin që i takon në futbollin shqiptar.

Çfarë objektivash keni me këtë rikthimin tuajin me Teutën?

Me Teutën kam besim se do të arrijmë objektiva të rëndësishëm, edhe pse kampionati është mjaft i vështirë. Them se Teuta do të jetë në vendin që meriton, në majat e futbollit shqiptar.