Burime pranë Melania Trump-it kanë zbuluar çfarë mendon në të vërtetë Zonja e Parë e ardhshme për miqësinë e ngushtë të bashkëshortit të saj me miliarderin Elon Musk. Melania nuk shqetësohet nga fakti që Musk po kalon gjithnjë e më shumë kohë në rezidencën e saj në Mar-A-Lago në West Palm Beach që prej zgjedhjeve të nëntorit, shkruan Daily Mail

Ajo e sheh marrëdhënien e Trump-it me miliarderin e teknologjisë si një përfitim të përgjithshëm, dhe një prej personave të afërt beson se Zonja e Parë e ardhshme mund të gjejë mënyra për të bashkëpunuar vetë me pronarin e Teslës. Duke folur për revistën People, një burim në Palm Beach madje shkoi aq larg sa të thoshte se Melania do të jetë e lumtur që ka një ‘dado’ për bashkëshortin e saj, duke shtuar se ajo i shfrytëzon më së miri gjërat që nuk mund t’i kontrollojë.

“Melania ka jetën e saj dhe nuk shqetësohet nga marrëveshjet politike që burri i saj ka me të tjerët. Deri tani, ajo nuk ka pasur asnjë problem me Musk-un,” tha Burimi. 

Ndërsa një burim tjetër shtoi se 54-vjeçarja priret të qëndrojë larg çështjeve politike të bashkëshortit të saj. Kjo, pavarësisht faktit që prona e tyre në Mar-a-Lago është shndërruar në një bazë për politikanët e njohur republikanë gjatë dhe pas fushatës, me Trump-in që organizoi disa tubime atje.

“Në përgjithësi, ajo nuk përfshihet në temat që bashkëshorti i saj diskuton me Musk-un apo me këdo tjetër që është pranë tij. Aktualisht, Trump ka shumë njerëz që kërkojnë gjëra prej tij. Ajo është mjaft e vetëdijshme për këtë,” tha burimi. 

Gjithashtu thuhet se Melania me shumë gjasë do të kërkojë mënyra për të bashkëpunuar vetë me Musk-un në disa çështje, ndërsa marrëdhënia mes tyre përshkruhet si e qetë deri tani. Gjatë mandatit të saj të mëparshëm si Zonja e Parë, Melania udhëhoqi fushatën Be Best, e cila mbështeste veprimet për mbrojtjen e të rinjve amerikanë nga ngacmimet kibernetike.

Që nga tetori i vitit 2022, Musk është pronar i X (ish-Twitter-it), një nga platformat kryesore të rrjeteve sociale në botë, që do të thotë se ai mund të ofrojë ekspertizë për të monitoruar sjelljen online. Që nga fitorja dërrmuese e Trump-it me 5 nëntor, Musk është bërë një figurë thuajse gjithmonë e pranishme në Mar-a-Lago, dhe madje pronari i SpaceX e kaloi Falënderimet në këtë rezidencë.

Në dhjetor, qarkulluan thashetheme se Musk po mendonte të blinte një apartament prej 100 milionë dollarësh, vetëm shtatë minuta larg nga shtëpia e Trump-it. Këto thashetheme janë mohuar nga Musk. Musk pritet të luajë një rol të rëndësishëm në administratën e ardhshme të Trump-it.

Ai do të drejtojë departamentin e ri të Qeverisë për Efikasitetin Administrativ, ose ‘Doge’ për shkurt, së bashku me ish-kandidatin presidencial republikan, Vivek Ramaswamy. Megjithëse ka emrin ‘departament’, nuk është një departament zyrtar i qeverisë amerikane. Përkundrazi, Doge do të këshillojë Shtëpinë e Bardhë të Trump-it se si të shkurtojë kostot për ta bërë qeverinë më të vogël.