Partitë në pushtet në Rumani pranuan të mërkurën që të përsërisin dy raunde për zgjedhjet presidenciale më 4 dhe 18 Maj. Tre partitë kryesore në koalicion qeverisës i qëndruan planit fillestar për të dalë me një kandidat të përbashkët.

Kujtojmë se në fund të vitit të shkuar tre votime të njëpasnjëshme për presidentin e ri dhe parlamentin përshkallëzuan në kaos pasi Calin Georgescu fitoi balotazhin e parë më 24 Nëntor. Ai  kandidat njihej shumë pak si politikan i djathtë dhe pro-rus.

Mes dyshimeve për ndërhyrje të Rusisë, Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjet presidenciale dhe urdhëroi koalicionin qeveritar që të rizhvillonte zgjedhjet nga fillimi. Presidenti në largim i Rumanisë, Klaus Iohannis, do të qëndrojë si kryetar shteti deri në zgjedhjet e Majit.

Partitë në koalicion thanë se pranuan që të mbështesnin një kandidat për të ndaluar të djathtën ekstreme që të fitonte. Kandidati i tyre është Crin Antonescu, një ish-udhëheqës liberal. Megjithatë analistët thonë se ka mundësi që në vijim ata të mbështesin ndoshta një kandidat tjetër.

Në zgjedhjet parlamentare të 1 Dhjetorit në Rumani, tre parti ultranacionaliste dhe të ekstremit të djathtë fituan 35% të karrigeve në kuvendin e ri pas zemërimit të popullit në luftën kundër korrupsionit nga partitë e vjetra. Disa kriza të tjera si ajo e pandemisë dhe lufta e Rusisë, kanë dobësuar mbështetjen e votuesve rumunë për partitë e qendrës.

Presidenti i Rumanisë ka një rol gjysmë-ekzekutiv, që përfshin komandimin e forcave të armatosura dhe kryesimin e këshillit që vendos në shpenzimet ushtarake dhe për mbrojtjen. Presidenti po ashtu përfaqëson Rumaninë në samitet e BE-së dhe NATO-s si dhe vendos krerët e gjykatave, prokurorive dhe Shërbimit Sekret. Rritja e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë janë një shqetësim për aleatët e Rumanisë në NATO.

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në Shkurt të vitit 2022, Rumania ka ndihmuar në eksportimin e miliona tonëve grurë përmes portit të saj të Constana-s në Detin e Zi, ka trajnuar pilotët luftëtarë ukrainas si dhe ka dhuruar një bateri të mbrojtjes ajrore Patriot për Kievin.