Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian ka miratuar marrëveshjen ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore të bërë në Romë më 6 Shkurt 2024.
Marrëveshja e cila u miratua me 273 vota pro dhe asnjë kundër, rregullon pensionet dhe përfitimet e papunësisë, sëmundjes dhe lehonisë për ata që janë ose kanë qenë të punësuar ose të vetëpunësuar në të dy shtetet.
Projektligji tani i kalon Senatit dhe nëse edhe dhoma e lartë e parlamentit e miraton, marrëveshja për sigurimet shoqërore quhet e ratifikuar plotësisht.
Janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë, që përfitojnë pension në Shqipëri.