Ndonëse nuk ka një marrëveshje përfundimtare e cila do ti jepte fund konfliktit mes Izraelit dhe Gazës, ndërmjetësuesit arabë dhe ata amerikanë kanë bërë progres në përpjekjet e tyre. Këtë e bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters e cila citon burime nga pala palestineze.
Më herët, pala izraelite bëri të ditur se ishte plotësisht e angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje për kthimin e pengjeve, por përballet me pengesa nga Hamasi. Të dy palët kanë qenë në një ngërç për një vit për dy çështje kyçe. Hamasi ka thënë se do të lirojë pengjet e mbetura vetëm nëse Izraeli pranon t’i japë fund luftës dhe të tërheqë të gjitha trupat e tij nga Gaza.
Izraeli thotë se nuk do t’i japë fund luftës derisa Hamasi të shpërbëhet dhe të gjithë pengjet të jenë të lirë. Teksa bisedimet vazhdojnë, ushtria izraelite ka kryer sulme në të gjithë enklavën, duke vrarë të paktën 17 persona .
Numri i viktimave nga sulmet izraelite në të gjithë Rripin e Gazës në 24 orët e fundit ka shkuar në 70. Më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë në luftën e Gazës, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë që nga fillimi i luftës.