Mesfushori i Teutës, Ledjo Beqja, do ta vazhdojë karrierën në Hungari. Klubi durrsak ka arritur marrëveshjen për shitjen e Beqjas tek ekipi Gyor në kampionatin hungarez. Nuk janë bërë të ditura për momentin shifrat e këtij transferimi, shuma që ka përfituar Teuta nga shitja e njërit prej lojtarëve të saj më të mirë aktualisht.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Martini humb kështu një element shumë të rëndësishëm, por në anën tjetër klubi përfiton financiarisht dhe me siguri do të veprojë në merkaton e dimrit për të gjetur sa më parë zëvendësuesin e 23- vjeçarit.

Karriera e Ledjo Beqjas është e lidhur vetëm me skuadrën durrsake, ku këtë sezon ai ka mbajtur në disa ndeshje edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori ka realizuar dy gola këtë sezon për “Djemtë e detit”. Për të është një hap i rëndësishëm përpara në karrierë kalimi në një kampionat më të fortë si ai hungarez. Te Gyor, që mban vendin e 9-të aktualisht, aktivizohen edhe edhe dy shqiptarë të tjerë, Eneo Bitri dhe Albion Marku.

Lajmi është konfirmuar pak minuta më parë edhe nga klubi i Teutës përmes një postimi në rrjetet sociale.

Njoftimi i Teutës:  Mirupafshim Ledio Beqja! Klubi i Futbollit Teuta njofton sot arritjen e marrëveshjes me @etofc_official për transferimin e Ledio Beqja-s në kampionatin Hungarez të futbollit. Pas 6 vitesh dhe 4 trofe të fituar, Ledio Beqja largohet nga Teuta. Beqja është një produkt i akademisë së Teutës dhe debutoi me ekipin e parë në moshën 17-vjeçare. Gjatë këtyre sezoneve ai ka fituar katër trofe me fanellën blu, ndërsa ka grumbulluar 151 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola. KF Teuta falenderon Ledion për të gjithë kontributin e dhënë përgjatë aventurës së tij me “Djemtë e Detit”. Ai gjithashtu meriton një vend në histori për gjithçka ka dhënë. KF Teuta i uron suksese në vazhdim.