Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka deklaruar se Pandeli Majko nuk është nën hetim pas akuzave të kreut të PD-së, Sali Berisha se deputeti i Partisë Socialiste ka rënë në përgjimet e SHISH.

SPAK ka deklaruar se nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të Pandeli Majkos.

“Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko”, shprehet SPAK.

Kujtojmë që deputeti socialist i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e Sali Berishës.

“Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni juaj”, shkruhet në shkresë.

Pandeli Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.

“Lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin tim”, shkruan ligjvënësi socialist.