Kompania Meta pranoi të paguante 25 milionë lekë dollarë për presidentin amerikan, Donald Trump në mënyrë që të tërheqë padinë që ai kishte ngritur pas pezullimit të llogarive të tij në Facebook dhe Instagram në vitin 2021.

Presidenti amerikan kishte ngritur një padi kundër Metës dhe themeluesit të saj, Mark Zuckerberg, duke pretenduar se ai ishte viktimë e censurës pasi u ndalua nga Facebook dhe Instagram më 7 janar 2021 gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, për inkurajimin e mbështetësve të tij për të pushtuar Kapitolin.

Wall Street Journal ishte e para që raportoi për këtë marrëveshje, të cilën një zëdhënës i Meta e konfirmoi më vonë për AFP. Në atë kohë vendimi i paprecedentë i Metës u imitua nga shumica e mediave sociale, përfshirë Twitter. Dy vjet më vonë Meta njoftoi se po heq ndalimin e llogarive të Trump.

Pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar republikani ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me manjatët e teknologjisë duke harruar përballjen e tij me Zuckerberg, të cilin e ftoi edhe në ceremoninë e inaugurimit të tij.

Kreu i Metës ka bërë disa njoftime këtë muaj për të lidhur kompaninë e tij me administratën e re amerikane. Në veçanti, ai ka emëruar disa aleatë të Trumpit në pozicione kyçe në kompani dhe ka pezulluar programet – të tilla si ato kundër dezinformimit ose në favor të kontrollit të përmbajtjes – që kritikohen nga konservatorët.