Gjykata ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “Arrest me burg” për 74-vjeçarin Hekuran Gjoni i cili vrau me thikë pak ditë më parë djalin e tij Asim Gjoni 37-vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën “Kodra e Priftit”, ku pas një konflkti të çastit i moshuari goditi me thikë djalin e tij i cili u transportua në spital por nuk mundi të mbijetojë. 

Gjatë marrjes në pyetje, i moshuari ka pranuar fajin dhe ka treguar se si ka ndodhur ngjarja. Sipas tij ngjarja e rëndë ndodhi pas një debati të ashpër mes tij dhe djalit. Në një moment 74-vjeçari e ka goditur me shpullë djalin e tij Asim Gjonin. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke e shtyrë dhe goditur babain, i cili është rrëzuar në tokë.

Në konflikt është përfshirë edhe vajza e të moshuarit dhe motra e Asim Gjonit, duke i kërkuar vëllait të saj që të mos e godasë babain, ndërsa ai i ka gjuajtur dhe të motrës. Në këtë moment, 74-vjeçari është ngritur në këmbë ka marrë thikën që ishte në tavolinën e bukës dhe ka goditur disa herë të birin. Ai u dërgua menjëherë në spital por nuk i ka mbijetuar plagëve të marra.

Hekuran Gjoni akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.