Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj do të dalë mëngjesin e sotëm para togave të zeza, ku Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zhvillojë seancën për vleftësimin e masës së sigurisë për Veliajn, i cili mesditën e së hënës u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
Seanca do të mbahet në orën 08:30, ndërsa kujtojmë se Erion Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK.
Agjentët e BKH-së zbarkuan mesditën e së hënës në zyrat e Bashkisë Tiranë ku ekzekutuan masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun.
Gjithashtu, SPAK ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe për Ajola Xoxën, masë e cila u ekzekutua në orët e mbrëmjes kur ajo u kthye nga Roma ku dhe ndodhej prej ditësh.
Nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” janë vendosur dhe 4 biznesmenë te tjerë si të përfshirë në hetimet që po zhvillohen kundrejt Veliaj; Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi. Ndërsa, në pranga ditën e djeshme ra dhe biznesmeni Elman Abule.





