Teuta do të rikthehet të dielën në fushë për ndeshjen e radhës në kampionatit ndaj Laçit. Durrsakët kanë vijuar përgatitjet anti-Laçi, ku të dielën Teuta do të kërkojë suksesin. Sulmuesi Mario Beshiraj, shprehet se ndaj Laçit do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai ka besim tek ekipi i tij që do të arrijë të marrë më të mirën. Skuadrës do t’i mungojnë dy lojtarë, Zhongo, i cili do të kthehet në fushë pas dy javësh dhe Kotobelli.

Vijoni përgatitjet për duelin ndaj Laçit. Çfarë prisni?

Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes, duam të rikthehemi te rezultatet pozitive ndaj Laçit, por çdo ndeshje është një histori më vete, e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje pozitiv. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për këtë ndeshjen dhe siç e thatë edhe ju nuk është e lehtë.

Keni presion për të marrë pikë ndaj Laçit?

Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por, jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur, dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.

Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Dinamon?

Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë sukses, sidomos për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti që e do ekipin dhe kërkon të jenë gjithmonë lartë në renditje.

Sa i fortë është ekipi juaj dhe sa i dobët është Laçi?

Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Ndërsa për Laçin mund të them që janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët pavarësisht gjendjes që po kalojnë.

Ju kënaq edhe një pikë të dielën?

E thashë edhe më lartë, ne do të luajmë për tri pikët pastaj 90 minutat i kanë të tria rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe si një pikë apo tre pikë kanë rendësin e vetë.