Ish-kreu i ARRSH-së, Dashamir Xhika ka dalë nga ambientet e SPAK ku është marrë në pyetje për gati dy orë nga prokurorët e posaçëm.
Dashamir Xhika nuk dha shumë shpjegime për mediat, teksa u shpreh, ashtu si herën e parë kur u paraqit në SPAK, se bëhet fjalë për një procedurë të kryer në kohën kur drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Ai mohoi se marrja në pyetje kishte lidhje me aksin rrugor Tiranë Elbasan, ndërsa theksoi se procedura nuk ka shumë lidhje me ARRSH.
“Gjithmonë për një procedurë të kryer në kohën kur kam qenë drejtor i ARRSH”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët nëse bëhet fjalë për rrugën Tiranë Elbasan, ai u përgjigj shkurtimisht: “Jo”, ndërsa shtoi se “për një procedurë që s’kishte lidhje shumë me ARRSH”.
Ndërkohë ish-kreu i Autoritetit Rrugor është paraqitur në SPAK edhe më 14 Maj 2024, ku qëndroi rreth 30 minuta brenda ambienteve të organit të akuzës dhe në një deklaratë për mediat u shpreh se u mor në pyetje për një procedurë në kohen kur drejtonte ARRSH-në.





