Ditën e nesërme (28 Shkurt) në Greqi pritet të mbahet një protestë dhe grevë kombëtare për tragjedinë e Tempit, të regjistruar më 28 shkurt 2023, kur u përplasën dy trena dhe ku humbën jetën 57 persona.
Grevat e punonjësve në Greqi prekin edhe Shqipërinë, pasi do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në pikat doganore. Policia e Gjirokastrës bën me dije se nesër nga ora 07:00 deri në orën 23:00, në pikën kufitare të Kakavijë, nuk do të ketë lëvizje të automjeteve, për shkak të grevës së doganierëve grekë.
Raportohet se do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët, mjetet e transportit të produkteve që prishen dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore. E njëjta situatë do të jetë edhe në pikën doganore të Qafë Botit.
Njoftimi:
Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit është njoftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se më datë 28.02.2025, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në PKK Kakavijë, PKK Qafë Bot – Sarandë dhe PKK Tre Urat – Përmet do të zhvillojnë grevë, dhe për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve.
Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).
Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë.





