Senati italian ka miratuar dje marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, duke garantuar të drejtat për pensionet e qytetarëve të dy vendeve.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një arritje të rëndësishme për rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali dhe 4 mijë italianë në Shqipëri.

“Asnjë vit pune nuk humbet. Siguri dhe perspektivë e re për shqiptarët dhe italianët,” shkroi Rama në Facebook.

Marrëveshja përfshin përfitime për pensionin e pleqërisë, invaliditetin, ndihmën familjare, sëmundjet dhe papunësinë.

“Ia dolëm! Grazie Italia, grazie sorella d’Italia,” përfundoi Rama, duke falënderuar qeverinë italiane për këtë hap të rëndësishëm.